Bilanc lufte! 21 të vdekur nga COVID-i në një ditë

Shqipëria regjistroi sot numrin më të lartë të viktimave në 24 orë, ku 21 pacientë, të moshave 48-89 vjeç, humbën jetën nga covid.

Krahasur me dje ka një rëndim edhe të situatës në spitale, ku kemi 2 persona më shumë të intubuar. Konkretisht dje kishim 16 pacientë të intubuar, ndërsa sot 18.

“Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 628 pacientë, 46 në terapi intensive, nga të cilët 18 pacientë janë të intubuar.”, njoftoi ministria.

849 të shëruar

Në 24 orët e fundit janë shëruar 849 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 67,158 që nga fillimi i epidemisë.

Mbi 10 mijë vaksinime

Gjatë ditës së sotme janë kryer 1031 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 10,135 vaksinime antivCOVID.

Komiteti nuk përforcon masat

Komiteti Teknik vendosi sot të mos ketë shtrëngim të masave, pavarësisht situatës së rënduar të covid në vendin tonë. Orari policor do të vijojë nga ora 20:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Mira Rakacolli tha sot se ka pasur një rënie të lehtë të të infektuarve, gjë që tregon se masat e marra kanë bërë efekt.

Megjithatë në bazë të shifrave të konstatuara nga vetë Ministria e Shëndetësisë nuk shihet ndonjë ulje në krahasim me më parë.

Në total, që nga fillimi i pandemisë numri i viktimave ka shkuar në 1,736, ndërsa në gjithë vendin janë 35,419 raste aktive me covid

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.