“Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Korçës, Beratit dhe Durrësit”, Kryemadhi: I gjithë procesi ishte një manipulim industrial. Sistemit i doli boja

TIRANË

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka cilësuar të gjithë procesin zgjedhor një manipulim industrial. Në daljen e parë publike pas rezultatit që nxjerr PS fituese dhe LSI-në të tkurrur në 4 mandate, Kryemadhi jo pa emocione foli për tradhti dhe zhgënjim për shifrat, por siç tha ajo e kthjellët për atë që kishte ndodhur.

“LSI dhe qytetarët ishin përballë këtyre zgjedhjeve, përballë një pabesie të madhe që deformoi thellë vullnetin e tyre, e vuri Shqipërinë në një udhëkryq të rrezikshëm. I dha hapësirë bandave, krimit, mundësi lëvizjeje oligarkëve dhe mediave të kapura nga oligarkët për të shformuar çdo qëndrim të qytetarëve shqiptarë. Mbetemi të palëkundur në këtë proces. Jo vetëm që nuk do të tërhiqemi, por do ta vazhdojmë betejën tonë dhe më tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në parlament, do të jetë në sheshe, në çdo shtëpi të qytetarëve shqiptarë. LSI do të vazhdojë denoncimet për çdo manipulim dhe tjetërsim vote në këtë proces. LSI do të vazhdojë në mënyrë të pashtershme duke filluar që sot betejën e procesit zgjedhor. Iu bëj thirrje numëruesve të jenë vigjilentë sepse në Durrës ku Edi Rama merr mandatin e Elona Gurit, kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për PS. Në Berat, në Durrës, kudo numëruesit dhe komisionerët të numërojnë çdo votë të LSI për kandidatët, të PD për kandidatët dhe të PS. Tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Korçës, Beratit dhe Durrësit. Mandate që i janë grabitur LSI për të nxjerrë Edi Ramën në Durrës. Për 140 vota i hiqet mandati dhe i jepet Edi Ramës. Për 140 vota i hiqet Endrit Braimllarit dhe i jepet Niko Peleshit. I hiqet Ardit Çelës dhe i jepet Blendi Klosit. Numëruesit tanë, të vazhdojnë betejën deri në fund, jo vetëm për të delegjitimuar të gjitha grabitjet e votave të LSI.

Ky proces  i manipuluar, para, gjatë dhe pas votimit, që nga ndryshimet e njëanshme kushtetuese, në dhunimin e Kushtetutës në mënyrën më flagrante, në përdorimin e policisë dhe prokurorisë, sa dhe për të blerë bukën mbështetësit e LSI nuk kishin para në xhep. Mjafton të shohësh manipulimin mediatik të dy mediave kombëtare.

 

 

Administrata publike, mjafton të shikoni proceset e numërimit, do të shikoni administratën publike që janë vëzhgues dhe mbajnë shënim votat e patronazhistëve të tyre. I gjithë procesi ishte një manipulim industrial. Ne jemi si feniksi, nga hiri ynë do të ringrihemi dhe do ta çojmë më tej betejën tonë. Beteja jonë nuk është një betejë për një karrige kryeministri apo një karrige ministri, beteja jonë është për ju të rinjtë që të mos ikni nga Shqipëria por të rrini këtu. Është një betejë që Shqipëria të jetë shtëpia e shqiptarëve dhe jo e Bangladeshit. Beteja jonë të mos ndalojmë për asnjë sekondë për të ardhmen e shqiptarëve. Zhgënjimin e kam pasur shumë të madh në numra, por një gjë e kam pasur të kthjellët. Ky sistem është një sistem që i doli boja. Mjafton të shikosh që LSI me 107 mijë vota merr 4 mandate dhe një parti me 35 mijë vota merr 3 mandate. Ky është sistemi kriminal. Beteja jonë vazhdon, nuk do të ndalet”, deklaroi Kryemadhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Copyright © All rights reserved. | Newsphere by AF themes.